Mbrojtja juridike e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në Kosovë
Pronësia intelektuale, përkatësisht e drejta e autorit gjithnjë e më tepër po tregohet si faktor ndikues në ekonominë e tregut dhe zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj respektimi dhe zbatimi i drejtës së autorit është tejet me rëndësi. Përveç zhvillimit ekonomik zbatimi i drejtës së autorit ndikon po ashtu në stimulimin e krijimtarisë kulturore dhe kreative.
Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta ushtron veprimtarinë e saj duke u mbështetur në legjislacionin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, si dhe në aktet tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Duhet potencuar fakti që mbrojtja e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, nuk përfshihet në kompetencat e zyrës. Zyra luan rolin e saj në procesin e zhvillimit të sistemit të mbrojtjes së drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, përmes licencimit dhe të mbikëqyrjes së shoqatave për administrim kolektiv të të drejtave, ngritjes së vetëdijes, ofrimit të informatave aftësuese dhe edukuese lidhur me zbatimin e drejtës së autorit, si dhe krijimin e raporteve të bashkëpunimit me zyrat si motra nga vendet e rajonit dhe të BE-së.
Me krijimin e legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, mund të themi që është krijuar edhe një ambient i përshtatshëm ku bartësit e të drejtave me anë të mekanizmave ligjor mund të mbrojnë të drejtat e tyre. Në këtë kontekst duhet përmendur Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Ligjin për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjin mbi Inspektoratin e Tregut.
Më poshtë do të bëjmë një sqarim të masave të mbrojtjes që bartësit e të drejtave mund ti përdorin konform legjislacionit në fuqi të përmendur më lartë.
1. Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta
Kapitulli XI, përkatësisht nën kreu B, i Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, parasheh dispozitat për mbrojtjen gjyqësore, në rast të shkeljes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.
Është mirë të përmendet fakti që ky ligj, parasheh shpejtimin e procedurës gjyqësore lidhur me shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta. Gjykata është e obliguar të caktoj seancën e parë dëgjimore jo më vonë se brenda tre (3) muajve që nga dita e pranimit të kërkesëpadisë.
Në kuadër të mbrojtjes gjyqësore, titullari i së drejtës në rast të shkeljes së të drejtave mund kërkojë mbrojtjen e të drejtave, përmes këtyre mjeteve juridike:
1.1. Kërkesëpadia
Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, përkatësisht kreu B, qartëson në mënyrë precize mbrojtjen gjyqësore, procedurën e ngritjes se padisë dhe kërkesat që bartësi së drejtës mund ti përfshij në padi.
Bartësi i së drejtës së autorit, atëherë kur konsideron që i është shkelur e drejta e tij, ka të drejtë të ngrit padi në gjykatën kompetente e cila vendos për proceset lidhur me shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.
Me anë të kërkesëpadisë bartësi i së drejtës mund të kërkoj nga gjykata kompetente gjetjen e ekzistimit të shkeljes së të drejtave.
Në rast se e drejta e autorit shkelet në vazhdimësi, atëherë bartësi i së drejtës mund të kërkoj nga gjykata, lëshimin e një vendimi që ndalon vazhdimin e shkeljes dhe të shkeljeve të përsëritura në të ardhmen.
Bartësi i së drejtës me anë të kërkesëpadisë ka të drejtë të kërkoj nga gjykata që me urdhrin e saj të bëhet largimi nga tregu, dhe shkatërrimi i të gjitha mallrave të cilat janë krijuar si rezultat i shkeljes së të drejtave të autorit, po ashtu materialeve dhe mjeteve që janë përdorur për krijimin e mallrave që shkelin të drejtat e autorit.
Në rast se bartësit të së drejtës i është shkaktuar dëm material, për shkak të shkeljes së drejtës së autorit, atëherë bartësi i së drejtës mund të kërkoj nga gjykata që ti bëhet kompensimi për fitimin e humbur ose zhdëmtim të posaçëm.
Përveç dëmit material, bartësit të së drejtës mund të i shkaktohet edhe dëmi jo material i cili nënkupton shkeljen e të drejtave morale, për të cilin po ashtu bartësi i së drejtës ka drejtë të kërkoj kompensim.
1.2. Masat paraprake
Bartësi i së drejtës duke u bazuar në nenin 184 të Ligjit, ka të drejtë të kërkoj nga gjykata që të ndërmerren masat paraprake për mbrojtje, nëse paraqet prova se të drejtat e tij ekskluzive janë shkelur, dhe zhdëmtimi ka gjasa të rrezikohet. Atëherë, bartësi ka të drejtë të kërkoj nga gjykata që të bëhet konfiskimi i përkohshëm i pronës së luajtshme dhe të paluajtshme dhe bllokimin e llogarive bankare të paditurit.
Si masë paraprake që mund të ndërmerret nga gjykata, sipas nenit 184, paragrafi 2, është sekuestrimi i dokumenteve bankare financiare apo dokumentet komerciale të shkelësit.
Është me rëndësi të theksohet që bazuar në nenin 184, paragrafi 4, procedura lidhur me masat paraprake zbatohet brenda tri (3) ditëve pas parashtrimit të kërkesës.
1.3. Masat e përkohshme
Këto masa mund të urdhërohen nga gjykata, atëherë kur bartësi i së drejtës me kërkesën e tij, paraqet prova të bazuar se i është shkelur e drejta e tij, apo ekziston rreziku i pashmangshëm nga shkelja. Në bazë të nenit 185, paragrafi 1, pika 1, gjykata mund ti ndërmerr masat e përkohshme të cilat përfshijnë ndalesën e shkeljeve të pritura apo ndalesën e vazhdimit të kryerjes së shkeljes.
Bartësi i së drejtës mund të kërkoj nga gjykata që si masë të përkohshme, të urdhëroj konfiskimin ose heqjen nga qarkullimi të mallrave të dyshuar për shkeljen e një të drejte, dhe heqjen nga qarkullimi i materialeve që përdoren për krijimin e mallrave të dyshimta që shkelin të drejtën e autorit.
Procedura e marrjes së masave të përkohshme nga ana e gjykatës është e shpejtë, konkretisht ato ndërmerren shtatë (7) ditë nga dita e parashtrimit të kërkesëpadisë.
1.4 . Sigurimi i provave
Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, neni 186, i jep të drejtë bartësit të së drejtës, i cili ka prova të bazuar se i është shkelur e drejta, dhe ekziston rreziku i mundshëm që provat për shkeljen e të drejtës të shkatërrohen ose më vonë të jetë e pamundur të sigurohen, që të kërkoj nga gjykata të bëj sigurimin e provave.
Masat të cilat merren për ruajtjen e provave përfshijnë marrjen e mostrave, konfiskimin fizik të mallrave që shkelin të drejtat, inspektimin e vendeve, inspektimin ose konfiskimin e dokumenteve, ekzaminimin e dëshmitarëve, emërimin dhe ekzaminimin e ekspertëve.
Gjykata e zhvillon procedurën lidhur me sigurimin e provave brenda shtatë (7) ditësh pas parashtrimit të kërkesës nga mbajtësi i të drejtës.
2. Ligji për Masat Doganore për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale
Dogana e Kosovës në kuadër të misionit të saj ka për detyrë që të mbroj të drejtat e autorit me qëllim të mbrojtjes së ekonomisë legale nga konkurrenca e pandershme.
Dogana e Kosovës bazuar në ligjin për Masat Doganore për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale Emri i Ligjit 03-L/170/2010, dhe udhëzimin Administrativ 07/2010, ka për detyrë, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale për mallrat që hyjnë ose dalin nga territori i Kosovës, me kërkesë të bartësve të së drejtës, dhe administrimin e kërkesave për veprim në kuadër të mbrojtjes së pronësisë intelektuale.
Sipas ligjit për masat doganore për mbrojtjen e pronësisë intelektuale përkatësisht nenit 4 , bartësi i së drejtës kur ka bazë të mjaftueshme për të dyshuar se mallrat shkelin të drejtën e tij, ka të drejtë të parashtroj kërkesën për veprim nga dogana.
Mënyra e parashtrimit dhe procedimit të kërkesës është e dhënë qartë në nenin 4 ku thuhet që kërkesa për veprim bëhet në një formular të përcaktuar nga Dogana. Kërkesa duhet të përmbaj të gjitha të dhënat në mënyrë që të mundësohet që mallrat të njihen më lehtë.
Me pranimin e kërkesës për veprim, Dogana do të shqyrtoj kërkesën e parashtruar nga ana e bartësit të së drejtës dhe do të njoftoj parashtruesin e kërkesë në afat prej 30 ditësh. Në rast se refuzohet kërkesa për veprim, Dogana duhet të jap arsyet me shkrim për të.
Është me rëndësi të potencohet fakti që, Dogana vepron sipas detyrës zyrtare ( ex-officio) atëherë kur zyra doganore konsideron se mallrat janë të dyshimta për shkelje të së drejtës së pronësisë
Mallrat të cilat shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale nuk do të:
- lejohen të hyjnë në territorin Doganor të Republikës së Kosovës;
- të lirohen për qarkullim të lirë;
- të largohen nga territori Doganor i Republikës së Kosovës;
- të eksportohen;
- të ri-eksportohen;
- të vendosen nën procedurë pezulluese; ose
- të vendosen në zonë të lirë ose depo të lire
3. Masat mbrojtëse që bartësi i së drejtës mund ti ndërmerr në bazë të ligjit për Inspektoratin dhe Mbikëqyrjen e Tregut :
Inspektorati i Tregut në Republikën e Kosovës është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit, në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, sigurinë e produkteve në treg po ashtu dhe për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të ngjashme në treg .
Sipas të ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut, kompetencë e inspektoratit përveç të tjerash është mbikëqyrja e mbrojtjes së të drejtës së autorit dhe të drejtave të ngjashme në treg.
Bartësi i së drejtës së autorit ka të drejtë të kërkoj nga inspektorati i tregut, inspektimin e tregut dhe në rast se dyshon që drejta e tij është shkelur ai mund të kërkoj nga inspektorati konfiskimin dhe largimin nga tregu mallrave të cilat shkelin të drejtën e autorit.
4. Kodi Penal
Kodi Penal i Republikës së Kosovës e parasheh si vepër penale cenimin e të drejtave të autorit. Konkretisht, përcakton veprimet të cilat njihen si shkelje të së drejtës së autorit dhe përcakton llojet e dënimeve dhe kohëzgjatjen e tyre në rast se kryhet shkelja e së drejtës së autorit.
Bartësit e të drejtave atëherë kur kanë prova të bazuar se të drejtat e tyre janë shkelur, kanë të drejtë të i drejtohen policisë dhe prokurorive kompetente, për kërkimin e ndjekjes penale ndaj shkelësve të të drejtave të njohura me ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
4.1. Cenim i të drejtave të autorit sipas nenit 296 konsiderohen veprimet:
1. Kushdo që nën emrin e tij apo të dikujt tjetër, shfaq apo në ndonjë mënyrë tjetër i kumton publikut punën e mbrojtur me të drejtat e autorit ose paraqitjen e tjetrit, në tërësi apo pjesërisht, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
2. Kushdo që gjatë përdorimit të punës së mbrojtur me të drejtat e autorit ose paraqitjes së tjetrit, qëllimisht nuk cek emrin, pseudonimin ose shenjën e autorit apo të performuesit kur kjo kërkohet me ligj, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në një (1) vit.
3. Kushdo që e ndryshon, shtrembëron ose në ndonjë mënyrë tjetër e dëmton punën e mbrojtur me të drejtat e autorit ose paraqitjen e tjetrit, dhe e shfaq në atë formë ose në ndonjë mënyrë tjetër ia kumton në formë të tillë publikut,dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
4. Kushdo që paraqet ose në ndonjë formë tjetër ia kumton publikut në mënyrë të papërshtatshme punën e mbrojtur me të drejtën e autorit ose paraqitjen e tjetrit, që është paragjykuese për nderin dhe autoritetin e autorit ose performuesit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
5. Kushdo që pa autorizim përdor punën e mbrojtur me të drejtat e autorit ose temën e çështjes së ndërlidhur me këto të drejta, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.
4.2. Shmangia e masave teknologjike
1. Kushdo që kryen vepër të shmangies së ndonjë prej masave efektive mbrojtëse të teknologjisë ose të heqjes apo ndryshimit të të drejtave elektronike për menaxhimin e të dhënave, siç parashihet në dispozitat e ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të përafërta dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.
2. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e tyre nga paragrafi 1. i këtij neni konfiskohen .
Për këto vepra parashihet dënimi me burgim prej tre( 3) muajsh deri në tri (3) vite, e në rrethana të caktuara ku kryesi ka pas qëllim përfitimit ekonomik në vlerë mbi 50.000 euro dënimi është paraparë prej gjashtë (6) muajsh deri në tetë (8) vite burgim. Kodi gjithashtu parasheh edhe konfiskimin e gjërave të përfituara nga kryerja e veprave penale nga neni 296.