Menaxhimi Kolektiv
E drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta administrohen në mënyrë kolektive kur administrimi mbulon një sërë veprash të autorit ose lëndësh nga të drejtat e përafërta dhe njëkohësisht një sërë bartësish të të drejtave të lidhura me to. Menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit bëhet nga shoqatat kolektive për menaxhimin e të drejtave të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Menaxhimi kolektiv dhe efektet praktike
Vetëm përmes menaxhimit kolektiv mund të bëhet shpërndarja e veprave të autorëve vendorë e të huaj për publikun në mënyrën më të lehtë të mundshme. Shembull konkret, një radio e cila bën transmetimin e muzikës, cila është mundësia që e njëjta të marr leje nga të gjithë autorët dhe mbajtësit e të drejtave? Menaxhimi kolektiv siguron mundësinë më të lehtë që një radio e tillë të bëjë transmetim në përputhje me ligjin për të drejtat e autorit.
Gjithashtu, televizionet bëjnë transmetimin e një numri të madh të veprave të autorit, apo në këtë rast të muzikës, si do të ishte e mundur që të marrin leje nga të gjithë mbajtësit e të drejtave? Mënyra më e mirë dhe e lehtë është përmes shoqatave për administrim kolektiv. Njëjtë është edhe me operatorët kabllorë që ritransmetojnë programe të ndryshme. Mënyra e vetme, dhe më praktike, është të bëhet marrëveshje me shoqatat për administrim kolektiv, në këtë mënyrë sigurohet transmetimi dhe ritransmetimi ligjor. Pra për nevoja praktike dhe shkaqe ligjore është shumë me rëndësi që në Kosovë të funksionojë menaxhimi kolektiv dhe autorët, performuesit, producentët, transmetuesit etj. të marrin kompensimet e tyre përkatëse.
Shoqata për menaxhim kolektiv të të drejtave është subjekt juridik, i regjistruar për të menaxhuar në mënyrë kolektive të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta në Kosovë dhe qeveriset nga anëtarë te saj. Shoqatat negociojnë tarifat e shfrytëzimit të veprave të mbrojtura të autorit dhe të drejtave të përafërta, hyjnë në marrëveshje për shfrytëzimin e veprave të mbrojtura nga ana e shfrytëzuesve dhe në emër të titullarëve të të drejtave mbledhin të hyrat dhe i shpërndajnë të njëjtat te titullarët e të drejtave.
Kostoja e shoqatës për menaxhimin kolektiv të së drejtës
Në bazë të statutit të shoqatës dhe të vendimit të bordit drejtues një pjesë e të ardhurave të grumbulluara veçohet për mbulimin e shpenzimeve të shoqatës kolektive për menaxhimin e të drejtave. Në përputhje me statutin dhe vendimet e kuvendit të shoqatës, shoqata themelon fondin për qëllime të aktiviteteve kulturore të rëndësisë së veçantë, kujdesit për shëndetin dhe statusin social të anëtarëve të vet. Për fondin e paraparë shoqata për menaxhimin kolektiv të të drejtave ndan 10% nga shuma e tërësishme e mjeteve të grumbulluara brenda një viti, nga shfrytëzuesit e lëndëve të mbrojtura.
Evidenca dhe llogaria
Shoqata për menaxhimin kolektiv të të drejtave obligohet të mbajë dhe të ruaj evidencat dhe dokumentet shoqëruese për të gjitha faktet relevante lidhur me mbledhjen e kompensimeve, llogaritjen e hyrjeve dhe daljeve si dhe të hartojë raport vjetor të punës me të dhëna të sakta dhe gjithëpërfshirëse. Të paktën 30 anëtarë të shoqatës mund të kërkojnë auditimin financiar të punës së shoqatës.
Mbikëqyrja administrative e punës së shoqatës për menaxhimin kolektiv të të drejtave
Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta mbikëqyr veprimtarinë e shoqatës. Zyra në çdo kohë mund të kërkojë nga shoqata kolektive çfarëdo lloj informatash ose dokumentesh lidhur me shoqatën, përfshirë funksionimin dhe shpenzimin e fondeve speciale, nëse ekzistojnë. Zyra mund të emërojë një ose më shumë përfaqësues të vet për të marrë pjesë në takimet e asamblesë dhe organeve tjera të shoqatave kolektive me të drejtën për të folur, por pa pasur të drejtë të votojnë.
Tarifat e përgjithshme dhe marrëveshjet tarifore
Tarifat e përgjithshme nënkuptojnë shumën e kompensimit që duhet të paguajnë shfrytëzuesit për format e ndryshme të shfrytëzimit të lëndëve të mbrojtura. Tarifat e përgjithshme i propozon bordi drejtues i shoqatës dhe i miraton kuvendi i shoqatës. Tarifat e propozuara i nënshtrohen negociatave me organizatat e shfrytëzuesve, nëse nuk arrihet marrëveshja gjatë negociatave palët janë të obliguara të propozojnë ndërmjetësuesin. Në rast se ndërmjetësimi nuk rezulton me arritje të marrëveshjes, tarifat e përgjithshme i nënshtrohen miratimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Shpërndarja e mjeteve të mbledhura
Kompensimet e mbledhura u shpërndahen bartësve të të drejtave në përpjesëtim me hisen reale nga shfrytëzimi i lëndëve të tyre të mbrojtura në kompensimet që shoqatat i kanë mbledhur nga shfrytëzimet e lëndëve të mbrojtura. Me rastin e përcaktimit të hises së bartësve të të drejtave, në kompensimet e mbledhura merren parasysh kategoria e lëndëve të mbrojtura, format dhe masat e shfrytëzimit të lëndës së mbrojtur. Shpërndarjen e kompensimeve të mbledhura nga shfrytëzuesit e lëndëve të mbrojtura shoqata e realizon së paku një herë në vit.