Veprimtaria e Zyrës
Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, është organ administrativ i themeluar me rregulloren e Qeverisë së Kosovës Nr. 01/2010, në Qershor të vitit 2010. Zyra vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe veprimtarinë e saj e ushtron, në bazë të ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Kompetencat e Zyrës janë të parapara me ligj, respektivisht veprimtaria themelore e zyrës është dhënia e lejes për shoqatat për administrim kolektiv të drejtave; mbikëqyrja e veprimtarisë dhe aktiviteteve të shoqatave për administrim të drejtave; marrja e lejes së dhënë të shoqatës për administrim të drejtave; promovimi dhe ndërmarrja e aktiviteteve për dhënien e informatave të duhura autorëve, bartësve të drejtave dhe opinionit të gjerë lidhur me të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta; përcjellja e legjislacionit ndërkombëtarë dhe dhënien e rekomandimeve përkitazi me fushën e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.
Është me rëndësi të potencohet fakti se Zyra, nuk ka kompetenca ekzekutive në kontekst të zbatimit të drejtave të autorit, respektivisht për të gjitha pretendimet lidhur me shkeljet e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, autorët dhe mbajtësit e të drejtave duhet të ju drejtohen organeve kompetente, gjykatave, prokurorive kompetente dhe inspektoratit të tregut.
Zbatimi i Ligjit - Fillimisht aktivitet e Zyrës, janë bazuar në nxjerrjen e akteve nën-ligjore, me anë të të cilave janë rregulluar çështje të caktuara. Zyra ka miratuar Rregulloren për dhënien dhe marrjen e lejes për shoqatat e administrimit kolektiv të drejtave, dhe Rregulloren për ndërmjetësimin e kontesteve për çështjet nga e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Rregullorja për dhënien e lejeve për Shoqatat për administrim Kolektiv të të Drejtave - Me këtë rregullore, janë përcaktuar procedurat për dhënien e lejes për administrim kolektiv të të drejtave; kushtet të cilat një shoqatë e themeluar duhet të i plotësoj për aplikim; procedurat e monitorimit të shoqatave nga ana e zyrës; dhe në rast të shkeljeve nga ana e shoqatave është paraparë edhe marrja e lejes për administrim kolektiv të të drejtave.
Licencimi i Shoqatave për Administrimin Kolektiv të Drejtave - Zyra, në Korrik të vitit 2012, ka lëshuar lejen për administrim kolektiv të drejtave, dy shoqatave të para në Republikën e Kosovës. Shoqatës për administrimin e të drejtave në fushën e muzikës, e cila përfaqëson Autoret, Prodhuesit dhe Interpretuesit e Kosovës, e njohur me shkurtesën APIK. Dhe shoqatës për administrimin e të drejtave në fushën e veprave audio vizuale, e cila përfaqëson Autorët, Prodhuesit dhe Interpretuesit e Kosovës, e njohur me shkurtesën VAPIK.
Dy shoqatat e licencuara, janë në funksionalizim e sipër, me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përkrahur shoqatat e licencuara duke mbështetur pjesëmarrjen e tyre në dy vizita studimore jashtë vendit, respektivisht në Bruksel dhe në Slloveni.
Zyra ushtron mbikëqyrje administrative të punës së shoqatave, me qëllim të sigurohet që shoqata ushtron funksionet e veta në pajtim me ligjin. Në këtë kontekst Zyra mund të kërkoj nga shoqata çfarëdo lloj të informatash ose dokumentesh lidhur me shoqatën, veprimtarinë e saj, apo në lidhje me një autorë të caktuar ose përdorues, dhe mund të inspektoj librat apo çfarëdo dokumenti lidhur me shoqatën.
Rregullorja për Ndërmjetësimin e Kontesteve në Fushën e të Drejtës së Autorit Procesi i ndërmjetësimit, ofron zgjidhje alternative të kontesteve të caktuara. Procesi i përcaktimit të tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e të drejtave të autorit, kalon në disa faza, njëra nga fazat e mundshme të zhvillimit të këtij procesi është edhe ajo e ndërmjetësimit. Nëse njëra fazë nuk është e suksesshme vazhdohet me fazën tjetër.
Faza e parë është ajo e negociatave ndërmjet shoqatave për administrim kolektiv të të drejtave dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesve. Faza e dytë, në rast se me negociata, nuk arrihet marrëveshje për tarifat, atëherë ligji ka paraparë si fazë obliguese ndërmjetësimin ndërmjet palëve të lartpërmendura. Me qëllim të zbatimit të ligjit, Zyra, ka hartuar Rregulloren për ndërmjetësim, e cila është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo rregullore, përcakton procedurën e ndërmjetësimit në mes të shoqatave kolektive dhe përfaqësuesve të përdoruesve, lidhur me arritjen e marrëveshjeve gjithëpërfshirëse për tarifat e përgjithshme, për përdorimin e veprave të autorit. Për më tepër, përcakton nivelin, llojin e edukimit, dhe kushtet tjera që një ndërmjetësues duhet ti plotësoj për të hyrë në listën e ndërmjetësuesve. Faza e tretë dhe përfundimtare, fillon në rast se procesi i ndërmjetësimit nuk rezulton me arritje të marrëveshjes lidhur me tarifat e përgjithshme, dhe atëherë tarifat i miraton Qeveria e Republikës së Kosovës.
Bashkëpunimi Ndërinstitucional Zyra është në marrëdhënie të shkëlqyeshme të bashkëpunimit me institucionet vendore, të cilat kanë kompetenca në fushën e të drejtës së autorit. Në këtë aspekt, duhet përmendur bashkëpunimi me Doganën e Kosovës, Inspektoratin e Tregut, Zyrën për Pronësi Industriale, dhe Policinë e Kosovës. Me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe me rekomandim të Komisionit Evropian, janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me institucionet e përmendura me lartë.
Bashkëpunimi Ndërkombëtarë Zyra që nga momenti i themelimit ka vënë marrëdhënie bashkëpunimi me zyrat si motra nga rajoni dhe me gjerë. Është mirë të përmendet bashkëpunimi i shkëlqyer me Zyrën Shqiptare për të Drejtën e Autorit, me të cilën janë shkëmbyer vizita të ndërsjella.
Në këtë kontekst, Zyra, ka bashkëpunuar edhe me Zyrën e të drejtës së autorit të Danimarkës, ku në Qershor 2012, është zhvilluar një vizitë studimore në Danimarkë dhe janë realizuar një varg takimesh me përfaqësues të Zyrës Daneze, dhe të shoqatave për administrimin kolektiv të të drejtave në Danimarkë.
Në Qershor 2012, në Konferencën e Organizuar nga Zyra, ka marrë pjesë edhe kryesuesi i njësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar për të drejtën e autorit në kuadër të Zyrës Hungareze të Pronësisë Intelektuale, me të cilën zyre kemi marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi.
Në kuadër të bashkëpunimit, janë krijuar raporte të shkëlqyeshme me Zyrën Sllovene të Pronësisë Intelektuale, në Gusht 2013, është zhvilluar një vizitë studimore në Slloveni, ku është realizuar një takim me Drejtorin e Zyrës, dhe përfaqësuesit e shoqatave për administrim kolektiv të të drejtave.
Një delegacion nga Zyra për të drejtat e autorit, në Nëntor 2012, ka marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për të drejtat e performuesve. Në Janar 2013, përfaqësuesi nga Zyra, ka marrë pjesë në seminarin e organizuar për të drejtën e autorit në Shkup, ku pjesëmarrës kanë qenë përfaqësues të zyrave rajonale të të drejtës së autorit dhe përfaqësues të shoqatave për administrim kolektiv të të drejtave.
Drejtori i zyrës, me ftesën e Odës Ekonomike Amerikane në Kroaci, ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare të pronësisë intelektuale. Në këtë konferencë, kanë marrë pjesë përfaqësues të zyrave të pronësisë intelektuale nga rajoni, Turqia dhe vende tjera te BE-së, si dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme.
Zyra dhe Komisioni Evropian Raportet e Zyrës me përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Kosovë janë të shkëlqyeshme, dhe zhvillohen përmes takimeve të rregullta. Gjithashtu, duhet përmendur Studimin e Fizibilitetit për vitin 2012, ku vlerësohet lartë puna dhe aktivitet e Zyrës. Ku vlen të përmendët, vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian lidhur me hartimin e Strategjisë Kundër Piraterisë, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe krijimin e raporteve të bashkëpunimit me zyrat si motra.
Komisioni Evropian, ka financuar projektin Fuqizimi i Sistemit Pronësisë Intelektuale në Kosovë, ka filluar më 5 Shkurt, 2013. Zyra për të drejtat e autorit, është një nga përfituesit. Projekti është i përbërë nga katër lloje të aktiviteteve për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta në Kosovë. Këto aktivitete do të zhvillohen me qëllim: Të përafrimit të më tejmë të legjislacionit për të drejtën e autorit me legjislacionin Evropian; të ngritjes së kapaciteteve ekzistuese në Zyrën e të Drejtave të Autorit; të ngritjes së kapaciteteve për organet e zbatimit të ligjit; dhe të ngritjes së vetëdijesimit për të drejtat e autorit