Ndërmjetësimi
Procesi i ndërmjetësimit, ofron zgjidhje alternative të kontesteve të caktuara. Procesi i përcaktimit të tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e të drejtave të autorit, kalon në disa faza, njëra nga fazat e mundshme të zhvillimit të këtij procesi është edhe ajo e ndërmjetësimit. Nëse njëra fazë nuk është e suksesshme vazhdohet me fazën tjetër.
Faza e parë është ajo e negociatave ndërmjet shoqatave për administrim kolektiv të të drejtave dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesve. Faza e dytë, në rast se me negociata, nuk arrihet marrëveshje për tarifat, atëherë ligji ka paraparë si fazë obliguese ndërmjetësimin ndërmjet palëve të lartpërmendura. Me qëllim të zbatimit të ligjit, Zyra, ka hartuar Rregulloren për ndërmjetësim, e cila është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo rregullore, përcakton procedurën e ndërmjetësimit në mes të shoqatave kolektive dhe përfaqësuesve të përdoruesve, lidhur me arritjen e marrëveshjeve gjithëpërfshirëse për tarifat e përgjithshme, për përdorimin e veprave të autorit. Për më tepër, përcakton nivelin, llojin e edukimit, dhe kushtet tjera që një ndërmjetësues duhet ti plotësoj për të hyrë në listën e ndërmjetësuesve. Faza e tretë dhe përfundimtare, fillon në rast se procesi i ndërmjetësimit nuk rezulton me arritje të marrëveshjes lidhur me tarifat e përgjithshme, dhe atëherë tarifat i miraton Qeveria e Republikës së Kosovës.
Trajnimi i ndërmjetësve dhe ndërmjetësimi në arritjen e marrëveshjeve gjithëpërfshirëse për tarifat e përgjithshme - Me qëllim të fuqizimit të sistemit të së drejtës së autorit, dhe të krijimit të mekanizmit të ndërmjetësimit për përcaktimin e tarifave të përgjithshme, Zyra, bazuar në ligj dhe në rregulloren për ndërmjetësim ka bërë thirrje për aplikim të gjithë ndërmjetësve të licencuar nga Ministria e Drejtësisë dhe të cilët kanë plotësuar kushtet e parapara me Rregulloren për ndërmjetësim në të drejtën e autorit. Pas vlerësimit të dokumentacionit relevant të pranuar nga aplikuesit dhe përfundimit të intervistave, komisioni ka përzgjedhur shtatë ndërmjetës. Zyra, ka organizuar një trajnim të avancuar për shtatë ndërmjetësit e përzgjedhur, të mbajtur nga avokati i njohur kroat z. Mladen Vukmir, i cili është ndërmjetësi i vetëm në rajon i njohur nga Organizata Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale. Ndërmjetësit e trajnuar, janë emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur më 05.04.2013, dhe janë të gatshëm të ndërmjetësojnë, nëse kjo është e nevojshme, konkretisht nëse nuk arrihet marrëveshje në fazën e negociatave.
Ndërmjetësuesit e përzgjedhur për kontestet në fushën e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta;
Albana Tigani - nr. kontaktues 044 220 808
Ilir Gaxha - nr. Kontaktues 044 112 460
Mentor Hajdaraj - nr. Kontaktues 044 223 422
Destan Bujupi - nr. Kontaktues 044 347 641
Jusuf Jahmurataj - nr. Kontaktues 044 328 302
Besim Kajtazi - nr. Kontaktues 044 346 056
Faton Morina - nr. Kontaktues 044 264 147