Për avancimin e mëtejmë të drejtës së autorit dhe të drejtave të përaafërta.

Strategjia kundër Piraterisë dhe Falsifikimit

PËRMBLEDHJA EKZEKUTIVE

Krijimi i një sistemi funksional i të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta është obligim ligjor dhe moral i institucioneve të vendit tonë karshi krijuesve, inovatorëve, investitorëve dhe vetë ekonomisë në përgjithësi. Shumë vende në zhvillim, përfshirë edhe Kosovën, kanë industri me zhvillim të hovshëm dhe në rritje në sferën e kulturës dhe kreativitetit, përfshirë muzikën, artet pamore, video-lojërat dhe filmat, industri kjo e cila mbrohet me të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta. Studimet e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale kanë treguar se kultura dhe industritë kreative japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendeve. Sidoqoftë, pa mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, mbajtësit e të drejtave të autorit nuk do të gëzonin përfitime ekonomike. Prandaj, mbrojtja e të drejtës së autorit ka qëllim të dyfishtë, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare, si dhe sigurimin e përfitimeve ekonomike për autorët dhe mbajtësit e tjerë të të drejtave të autorit.

Kosova mbetet vend ku të drejtat e autorit ende nuk zbatohen në shkallën e kërkuar me ligj dhe me standarde evropiane dhe ndërkombëtare. Institucionet dhe vendi kanë nevojë të vazhdojnë të marrin masa në forcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe krijimit të mekanizmave për kompensimin e krijuesve, performuesve dhe të gjithë atyre që gëzojnë të drejta. Piratëria vazhdon të jetë prezent në vendin tonë, dukuri kjo që i referohet praktikës së paligjshme të riprodhimit të një vepre që mbrohet nga e drejta e autorit, pa pëlqimin e mbajtësit të së drejtës ose personit të autorizuar dhe mund të çojë në humbjen e përfitimeve ekonomike dhe kulturore. Për këtë arsye vendi ka nevojë të miratojë Strategjinë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit, e cila përbëhet nga një sërë masash, të formuluara dhe të implementuara nga Qeveria dhe akterët e tjerë. Këto masa janë të dizajnuara për të lehtësuar mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe për të inkurajuar kreativitetin, novacionin dhe për ndikuar në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Qëllimi i kësaj Strategjie kombëtare është ofrimi i një plani sipas të cilit të gjitha palët e interesit punojnë së bashku për të promovuar, mbrojtur dhe zhvilluar sistemin e të drejtës së autorit, e cila do të nxisë krijimtarinë dhe do të zhvillojë ekonominë e vendit.

Misioni i Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit 2019 - 2023 është zhvillimi i një sistemi Kombëtar për të Drejtën e Autorit që do ta inkurajonte krijimtarinë duke rezultuar në zhvillim ekonomik, social dhe kulturor të Kosovës. Për të arritur këtë mision, Strategjia ka pesë objektiva kryesore:

  • Avancimi i kornizës legjislative;
  • Rritja e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për sistemin kombëtar të të drejtave të autorit;
  • Promovimi, edukimi dhe rritja e respektit për të drejtën e autorit;
  • Përmirësimi i bashkëpunimit mes palëve të interesit; dhe
  • Ulja e shkeljeve në fushën e të drejtës së autorit.



Për të arritur përmbushjen e objektivave të Strategjisë është paraparë që në pesë vitet e  periudhës së kësaj Strategjie të ndërmerren veprime të vazhdueshme të cilat kanë të bëjnë me:

  • Avancimin e kornizës legjislative, nxjerrjen e ligjeve dhe akteve nënligjore të reja, me qëllim të adresimit të çështjeve si dhe harmonizimin e plotë me legjislacionin e BE-së;
  • Trajnimin dhe edukimin e vazhdueshëm të zyrtarëve në fushën e së drejtës së autorit;
  • Forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse, pra atyre anëtare të Task-Forcës dhe të Këshillit Kombëtar të Pronësisë Intelektuale; • Organizimin e aktiviteteve të ndryshme si: konferenca për medie, seminare, fushata vetëdijesuese përfshirë atë online, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe nxitjes së krijimtarisë kreative;
  • Uljen e nivelit të piratërisë dhe përmirësimin e zbatimit të të drejtave të autorit në vend.


Këto veprime do të ndërmerren me qëllim të përforcimit të sistemit të drejtave të autorit, përkatësisht për të arritur një zbatim më të mirë të këtyre të drejtave, duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të piraterisë në vend.



STRATEGJIA KOMBËTARE PËR FORCIMIN E SISTEMIT TË SË DREJTËS SË AUTORIT 2019 - 2023