Veprimatria e Task Forcës kundër Piraterisë
Bazuar në Strategjinë kundër piraterisë, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur më 30 Janar 2013 themeloi Task Forcën për luftimin e Piraterisë dhe Falsifikimit në fushën e të drejtës së autorit.
Task Forca, do të zbatoj strategjinë kundër piraterisë dhe falsifikimit dhe planin e veprimit të saj, përmes veprimeve të koordinuara në mes të institucioneve pjesëmarrëse kompetente. Konform vendimit për themelim, gjithashtu në mbledhjet e Task Forcës mund të ftohen institucione dhe organizata tjera të pavarura.
Në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 30 Janar 2013, Nr. 16/114, është përcaktuar misioni i Task Forcës, i cili është:
1. Zbatimi i Strategjisë kundër falsifikimit dhe piraterisë 2012-2016 dhe planit të Veprimit;
2. Koordinimi i veprimeve të institucioneve në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete nga ana e institucioneve dhe organeve kompetente që janë pjesë e Task Forcës dhe institucioneve tjera që ndërlidhen me luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë në fushën e të drejtës së autorit;
3. Sensibilizimi i institucioneve të zbatimit të ligjit, dhe publikut në luftën kundër falsifikimit dhe piratërisë në fushën e të drejtës së autorit;
4. Propozimi i legjislacionit që ndërlidhet me zbatimin e strategjisë kundër falsifikimit dhe piratërisë në fushën e të drejtës së autorit;
Task Forca ka mbajtur mbledhjen konstituive të saj me datën 13 Shkurt 2013, ku anëtarët e saj kane diskutuar modalitet e përmbushjes së misionit të paraparë me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Në funksion të zbatimit të vendimit është miratuar Rregullorja e Brendshme e Punës, me anë të të cilës përcaktohet mënyra e marrjes së vendimeve në Task Forcë, dhe realizimi i veprimeve të saj.
Task Forca ka vendosur që veprimet e saja të realizohen në dy faza të ndara:
1. Faza e parë:
Kjo fazë fillon me rastin e ditës ndërkombëtare të pronësisë intelektuale me 26 Prill 2013, qëllimi i saj është vetëdijesimi i publikut lidhur të drejtën e autorit, rëndësinë e saj për shoqërinë dhe të përgatitë të gjitha subjektet, lidhur me pasojat të cilat ato do të ballafaqohen në rast se veprimtaria e tyre konstituon në shkelje të së drejtës e autorit dhe të drejtave të përafërta.
Në këtë fazë, të gjitha subjektet do të kanë mundësinë të pajisen me autorizime dhe kontrata nga mbajtësit e të drejtave,për prodhimin, shpërndarjen apo shitjen e produkteve që mbrohen me të drejtën e autorit. Në këtë mënyrë do të luftohet ekonomia joformale e cila dëmton industrinë kreative ashtu sikurse edhe buxhetin e Kosovës.
Gjatë kësaj faze do të realizohen trajnime dhe vizita studimore për pjesëtarët e policisë, inspektorët e inspektoratit të tregut dhe zbatuesit tjerë të ligjit lidhur me mënyrat më efikase për luftimin e piraterisë.
2. Faza e dytë:
Në këtë fazë veprimet e Task Forcës, do të realizohen kryesisht në terren, dhe përfshinë marrjen e masave administrative e penale nga ana e organeve kompetente, ndaj personave që dyshohet se me veprimet e tyre kanë bërë shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, respektivisht kryerjes se veprës se piraterisë.
Task Forca është duke bërë planin e veprimit, për veprimet e saja në terren, duke marrë parasysh të gjitha specifikat e këtij intervenimi te organizuar shtetëror kundër kryesve të veprës së piraterisë.
Me qëllim të hetimit dhe parandalimit të piraterisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të organizohen aksione të koordinuara nga institucionet kompetente. Dhe në rastet kur dyshohet se ekzistojnë materiale pirate, të njëjtat do të sekuestrohen ose konfiskohen, gjithashtu edhe mjetet të cilat janë përdorur për prodhimin e tyre do të sekuestrohen ose konfiskohen. Në këtë drejtim është planifikuar edhe luftimi i piraterisë në internet.
Kryesit e veprës së piraterisë do të përballen edhe me pasoja penale, bazuar në Kodit Penal, nga 1 Janari 2013, shkeljet e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta konstituojnë vepër penale. Konkretisht neni 296, bënë mbrojtjen e mbajtësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, përkatësisht sanksionon cenimin e pjesës pasurore dhe morale të së drejtës së autorit. Ky nen, parasheh sanksione penale me gjobë dhe burgim nga tre muaj deri në tetë vjet. Për më tepër parasheh edhe konfiskimin e sendeve dhe pajisjeve për prodhimin e tyre. Por edhe shmangia e masave teknologjike për mbrojtjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, është e sanksionuar me nenin 297.
Mund të konkludohet se zbatimi i Strategjisë Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit, dhe Plani i Veprimit të saj, si dhe realizimi i misionit të Task Forcës Kundër Piraterisë, do të ndikoj pozitivisht, së pari në përmbushjen e prioriteteve qeveritare dhe arritjen e standardëve evropiane, si dhe përmbushjen e sfidave të gjetura në raportin e progresit të Komisionit Evropian lidhur me zbatimin e të drejtës së autorit. Së dyti, do të ndikoj pozitivisht në, ngritjen e cilësisë dhe sasisë së krijimeve kreative, duke ndihmuar komunitetin krijues në ngritje të të ardhurave për kreacionet e tyre, dhe në këtë mënyrë duke ndikuar në rritjen e të hyrave për Administratën Tatimore të Kosovës.
Dhe në fund, kjo Strategji dhe Task Forcë, do të ndikoj pozitivisht në përmirësimin e imazhit të Republikës së Kosovës, si një vend dhe treg, ku respektohen të drejtat e pronësisë intelektuale, përkatësisht të drejtat e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura me të.